Murinjo i xhindosur, as shifrat rekord nuk bindën klubet t’i shisnin mbrojtës

Zhoze Murinjo po përjeton një nga momentet më të vështira të karrierës ë tij si trajner pasi është përballur me refuzime të njëpasnjëshme të klubeve dhe lojtarëve që kërkonte të afronte te Mançester Junajtid. Duket se futbollistët nuk e kanë me shumë qejf të drejtohen nga portugezi, ndërsa edhe klubet janë tërhequr nga negociatat, ndonëse “djajtë e kuq” ofronin shifra rekord.

Gjatë ditës së djeshme, klubi ishte gati të shpenzonte 100 milion paund për një qendërmbrojtës, por në fund të ditës, askush nuk erdhi dhe sipas mediave angleze, kjo ka sjellë një përplasje mes Murinjos dhe bordit drejtues të klubit.

Shifra rekord ishte bërë gati nëse Real do të linte të lirë Varane, ndërsa më pas, u vendos që të bëhej një ofertë prej 65 milionë paund për Herri Meguajër. Në të dy rastet, përgjigja ishte ‘jo’. Më pas filluan negociatat për Boateng, për të cilin Junajtid ofroi 22,5 milionë paund, ndërsa Bajern kërkonte dyfishin për futbollistin. Bisedimet me Totenhem për Alderueireld nuk arritën as deri te çmimi.

Pastaj e kishte radhën Jerri Mina, por klubi nuk ishte gati të paguante shifrat e larta që kërkonin si shpërblim menaxherët e lojtarit i cili përfundoi te Everton. Mbrëmë, tentativa e fundit e dëshpëruar ishte për Diego Godin, por edhe ky i fundit refuzoi menjëherë mundësinë për t’u drejtuar nga Murinjo, duke preferuar të qëndronte te Atletiko.

Kjo bëri që Murinjo të bllokonte transferimin e Darmian dhe Roho, dy lojtarë që nuk i dëshironte, pasi përndryshe do të mbetej pa alternativa në prapavijë. /vipsport.al/