Mungesa e Frashërit, Nexhipi sqaron situatën për “VIP Sport”

Gjatë ditës së sotme, ekipi i Kukësit ka udhëtuar drejt Elbasanit, aty ku do t’i japë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës ndaj Torpedo Kutaisit, një mungesë e rëndësishme në takimin e nesërm, do të jetë ajo e portierit Stivi Frashëri i cili ka qenë titullar në takimet e fundit.

Në media është spekuluar për një pezullim që klubi i ka bërë gardianit, ndërkohë që “VIP Sport” është interesuar pranë klubit në lidhje me këtë çështje. I gatshëm për të sqaruar këtë çështje, ka qenë drejtori sportiv i verilindorëve, Nderim Nexhipi.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë për një pezullim dhe dënim të Stivi Frashërit, duke u shprehur se portieri vuan nga një dëmtim në gju dhe se gjatë ditës së sotme ka nisur me terapinë që të riaftësohet sa më shpejtë.

“Me Frashërin nuk ka asnjë problem, përveç dëmtimit në gju. Ai ka luajtur në 3 ndeshjet e fundit me dhimbje në gju, dëmtim të cilin e ka pësuar që në takimin me Karabakun. Stafi mjekësor, ka vlerësuar gjendjen e Frashërit dhe ka menduar që ta lërë pushim për këtë takim, në mënyrë që Frashëri të ketë mundësi riaftësimi. Ai do t’i nënshtrohet terapisë duke filluar nga dita e sotme”, u shpreh Nderim Nexhipi. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/