Modriç-Inter nuk bëhet, Reali thotë përfundimisht “jo”

Transferimi i Luka Modriç te Interi me sa duket do të mbetet vetëm një ëndërr e kësaj vere për tifozerinë zikaltër, pasi kalimi i tij në kampionatin italian nuk është i mundur, të paktën për këtë sezon.

Sipas “Sky Sport”, sot ka pasur një mbledhje mes përfaqësuesve të lojtarit kroat dhe presidentit të Realit, Florentino Perez, për t’i kërkuar këtij të fundit që të respektonte paktin që kishte bërë me futbollistin për ta lënë të lirë të largohej. Aty i është përsëritur presidentit se Modriç kishte zgjedhur Interin si destinacionin e tij të radhës.

Por presidenti i Realit ka bërë të qartë se nuk do të dorëzohet para kërkesave të futbollistit, duke bërë të ditur se negociatat kishin filluar shumë vonë dhe nuk i ishte dhënë kohë klubit të mendohej për një zëvendësues të përshtatshëm për kroatin. Për këtë arsye, ai i ka mbyllur rrugë çdo lloj ideje transferimi të futbollistit duke përsëritur se Modriç duhej të respektonte kontratën me Realin. /vipsport.al/