Mërgjyshi: Në Superkupë të bëjmë mrekullinë si ndaj Anorthosis

Testi i parë i Artan Mërgjyshit në pankinën e Laçit nuk do të jetë një ndeshje dosido, por Superkupa e Shqipërisë ku skuadra e tij vihet përballë kampionëve në fuqi të Skënderbeut. Një mundësi e mirë për të kuptuar se në cilat nivele është skuadra por edhe që trajneri të fillojë të vërë në zbatim idetë e tij.

Në një intervistë për SuperSport, Mërgjyshi ka treguar ambiciet me të cilat ka marrë drejtimin e skuadrës, përgatitjet për Superkupën, objektivat e ekipit si dhe faktin se pret ende “dhurata” nga drejtuesit sa i përket merkatos, pasi nuk ka kompletuar ende skuadrën me të cilën do të përballojë sezonin në Superiore.

Për afrimin te Laçi
“Ka disa vite që Laçi jo vetëm është pjesë e Superiores, por është edhe faktor i saj. Kjo dhe kushtet në të cilat punohet këtu, isha shumë i nderuar që pata këtë ofertë. Plus një pjesë të lojtarëve i njoh dhe kam punuar më parë më ta. E kam ditur filozofinë që është këtu, që bazohen këtu te djemtë e rinj që duan të promovohen”.

Për Superkupën ndaj Skënderbeut
“Trofeu është në derë por duam ta luajmë 90 minuta, skuadra ka shumë ndryshime në krahasim me sezonin e kaluar, gjithashtu edhe kundërshtari, por janë 90 minuta në lojë, do ti bëjmë hyzmetin për të tentuar që të marrim maksimumin kësaj ndeshje. Ky është shansi për të fituar një trofe që të gjithë e duan dhe mua më mungon si trajner. Kam humbur një finale kupe si trajner me Dinamon dhe shpresoj ta nisim mbare dhe të jetë një ogur i mirë jo vetëm për mua, por të gjithë dashamirësit e Laçit”.

Për objektivat e klubit
“Si çdo gjë duhet të besosh, nuk mund të futesh në kampionat apo për trofe po nuk besove. Këtë besim që kemi duhet t’ua përcjellim lojtarëve, me sa shoh unë grupi e ka këtë. Ky është një grup që lufton përpara çdo kundërshtari dhe ndaj erdhi kalimi i turit në Europë. Asnjë nuk mund ta mendonte që kjo skuadër mund të kalonte Anorthosis. Por këta e bënë mrekullinë dhe e kaluan. Pse të mos ta bëjmë edhe këtë radhë dhe të nisim mbarë sezonin”.

Për plotësimin e skuadrës me emra të rinj
“Është për të falënderuar presidentin sepse nuk të vendos në trysni pa sistemuar ekipin. Objektivat janë që të sistemojmë ekipin pasi ka pasur lëvizje nga edicioni i kaluar, po punojmë dhe pa pasur një ekip të përcaktuar nuk mund të flasim për objektiva. Gjithsesi, të gjithë janë mësuar me një Laç të cili duan ta shohin lart. Ne do ta nisim nga këtu pastaj se ku do të shkojmë do ta shohim në vijim.”. /vipsport.al/