Kukësi paralajmëron tifozët: Mos krijoni trazira kundër Torpedos

Skuadra verilindore e Kukësit do të luajë nesër ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë kundër Torpedos, e vlefshme për turin e tretë të “Europa League”.

Verilindorët duhet të përmbysin atë humbje të thellë të pësuar në Gjeorgji, me rezultatin 5-2. Përveç humbjes, Kukësi u përball edhe me disa probleme jashtë fushave, për të cilat fajësoi shtetin pritës.

Mendohet se pritja për miqtë e Torpedos nuk do të jetë shumë e mirë nga ana e tifozëve të Kukësit, prandaj klubi verilindor iu ka bërë thirrje ndjekësve të saj të mos shkaktojnë trazira në atë takim.

Me anë të një postimi në “Facebook”, përfaqësues të Kukësit kanë shkruar: “Nesër në orën 19:00 në qytetin e Elbasanit te stadiumi “Elbasan Arena” zhvillohet ndeshja e madhe FK Kukësi vs Torpedo Kutaisi. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për përkrahjen tuaj.

Ju lutemi tifozëve që të mos krijojnë momente tensioni, sepse në të kundërt penalizohet ekipi jonë. Faleminderit për bashkëpunimin./Veronik Istrefaj – vipsport.al/