Kualifikoi ekipin dhe kritikoi drejtuesit, shkarkohet trajneri i Bordosë

Bordoja arriti të kualifikohet për në “Play Off” të Ligës së Europës, duke eliminuar ukrainasit e Mariupolit por kjo gjë duket se nuk ka mjaftuar për të qetësuar trajnerin e skuadrës, Gustavo Pojet.

Në konferencën pas ndeshjes, ky i fundit ka kritikuar drejtuesit e skuadrës, duke qenë se ka kërkuar që të mos shitet sulmuesi Gaetan Laborde, për të cilin kishte ofruar rreth 5 milionë euro Motpelieja, por drejtuesit nuk e kanë dëgjuar dhe e kanë shitur lojtarin.

Ky vendim, ka irrituar jashtë mase trajneri uruguaian i cili në nerva e sipër është shprehur se nuk ka dëshirë më të drejtojë ekipin, pasi aty nuk e dëgjojnë drejtuesit dhe se veprojnë fshehtas, madje ka braktisur edhe konferencën. Mëngjesin e sotëm, Pojet është shkarkuar nga roli i trajnerit.

“Mendoj se duhet të ndalojmë këtu. Erdha që në mëngjes dhe pashë që sulmuesi Laborde nuk ishte dhe mora vesh që kishte ikur në Montpelje pa ditur unë asgjë. Dua të flas me agjentin tim dhe të marr një vendim pasi nuk kam më dëshirë të drejtoj këtë ekip, ku nuk më dëgjojnë për dëshirat e mia, nuk bëjnë merkato dhe më largojnë lojtarët pa më treguar. Dikush duhet të më sqarojë”, u shpreh Pojet dhe u largua nga konferenca. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/