Kovaçiç prezantohet te Çelsi dhe thotë fjalët e para si “anglez”: E vështirë, por më ndihmon Sarri

Mateo Kovaçiç është zyrtarisht një futbollist i Çelsit deri në merkaton e ardhshme, duke qenë se mesfushori kroat është huazuar te blutë e Londrës pa të drejtë blerjeje.

Gjatë ditës së sotme, ai ka mbërritur në Angli, ku edhe është prezantuar si futbollisti më i ri i Çelsit. Kovaçiç është përfshirë në marrëveshjen për kalimin e portierit Kortua në Madrid. Ai shprehet se ndihet i lumtur për këtë transferim, duke ditur se fillimi është gjithmonë i vështirë.

“Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht i emocionuar që sot ndodhem këtu. Është një ndjenjë e mrekullueshme. Do të mundohem të jap më të mirën për skuadrën e Çelsit megjithëse është një kampionat i ri dhe fillimet janë gjithmonë të vështira por gjithsesi kam besim se tekniku Sarri dhe shokët e skuadrës do të më ndihmojnë”, u shpreh Kovaçiç. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/