Kishte mbetur prej muajsh pa skuadër, përfundon te Luftëtari

Luftëtari i ka shtuar një tjetër element radhëve të tij, ndonëse për të zyrtarizuar firmën me futbollistin duhet më parë të shihet gjendja e tij sportive pasi ka disa muaj pa luajtur futboll. Bëhet fjalë për mesfushorin Balsa Radoviç, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Flamurtarit.

Futbollisti ishte që nga janari lojtar i lirë dhe sipas mediave malazeze, që në fillimin e këtij muaji ka qenë në negociata me klube të ndryshme shqiptare, pasi ishte gati të kthehej në Superiore. Meqenëse ai menaxhohet nga një kompani e cila ka sjellë futbollistë të ndryshëm te Luftëtari në sezonet e fundit, ai ka pranuar ofertën gjirokastrite.

Sigurisht, para firmës trajneri Milosh Koshtiç do ta shohë në veprim në stërvitje, meqenëse futbollisti vjen nga pushime të gjata. Megjithatë, gjithçka do të finalizohet gjatë kësaj jave, me një përgjigje pozitive apo negative për malazezin i cili në fillimet e karrierës së tij ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Malit të Zi. /vipsport.al/