Jupi: Kampionatit i duhet një Partizan i fortë, Tirana me probleme dhe mendjen e parvjetshme

Redi Jupi është i mendimit që Skënderbeu mbetet favorit kryesor për të fituar titullin kampion në Superiore, duke u nisur nga mënyra se si menaxhohet klubi korçar.

“Skënderbeu ngelet përsëri favorit, është diskutim i hershëm për futbollin tonë, është e rëndësishme për një klub të mendojnë një strukturë të organizuar. Ai është klubi që bën diferencën në këtë prizëm, ka një president me njohje në futbolli, ka një menaxher që është i familjes, ka një qendër stërvitore të familjes, një aktivitet i menaxhuar në të gjitha hallkat e saj. Të tjerët nuk menaxhohen kështu. Pavarësisht mungesës së Europës, Skënderbeu do të jetë përsëri aty. Nëse mbajnë të njëjtën strukturë të skuadrës, një apo dy lojtarë do t’i promovojnë”, shpjegoi ai në “Rubrikën Sportive”.

“Luftëtari ishte skuadra që bënte futbollin më të mirë, që kishte një drejtim, një grup që menaxhonte skuadrën, trajnerin dhe lojtarët e duhur shkërmoqet në këtë pikë. Nuk e kuptoj se si larguan Likën, i cili ishte më i miri i sezonit të kaluar. Nuk e cilësoj mungesë lojtarësh, por sjellja me futbollin gjatë verës. Është si një makinë pa bateri. Largimi i bregu dhe Abzaj nuk është justifikim, edhe Skënderbeut i ikën 5-6 lojtarë por vazhdon të ngelet në nivele të mira”, tha Jupi.

“Kampionati ka nevojë për një Partizan të ri të fortë. Njoh Gegën, punon me të rinjtë dhe fuste të rinj edhe të U21, shumë më të vegjël në moshë pa iu dridhur qerpiku. Edhe klubi e ndihmon në këtë aspekt pasi i beson, mbase e ndihmojnë rezultatet, duhet të ketë frymëmarrje nga ato dhe nga tifozët. Unë shpresoj që t’i afrohet objektivit se kampionati ka nevojë për një Partizan të fortë.

Te Tirana situata nuk është e mirë dhe e sheh nga situata me Dokën. Atë mund ta bëjë një sulmues 30-32 vjeçar që ka bërë 30 gola dhe kërkon titullin. Por kjo me Dokën tregon se trajneri nuk ka ku ta kapi situatën, tregon që situata nuk është e mirë, e shëndoshe dhe pozitive. Tirana ka pasur gjithmonë probleme, por ato kanë qenë përplasje që kanë sjellë zhvillim, e prisja më konkurruese Tiranën këtë sezon, e prisja ndryshe. Ai vit që ranë mendoja se do t’i kthente ndryshe, por me sa duket janë me mendjen e parvjetshme.

Teuta më pëlqeu, ka lojë, entuziazëm, motivim. Kërkohet një mënyrë loje e caktuar, të sulmohet lart, nuk është e kollajshme, por të impostosh lojë do punë. Kjo është një mënyrë loje që duhet mbështetur, rezultatet nuk do i vijnë vetë por do i marrë se është një skuadër solide”, ishin fjalët e tij. /vipsport.al/

more recommended stories