Jo vetëm merkato cilësore, por edhe sponsor prestigjoz. Kamza është gati për Superioren

Sezoni i fundit nuk ishte ndër më të mirët për Kamzën, duke qenë se në fillim u duk si kandidate për një vend në Europë, por vetëm në javën e fundit arriti të siguronte mbijetesën në Kategorinë Superiore.

Në këto kushte, drejtuesit e Kamzës kanë menduar që të ndërhyjnë në skuadër duke blerë lojtarë të rinj të cilët mund të ndihmojnë në arritjen e një pozicioni më të lartë në renditje. Përveç blerjeve të shumta që Kamza ka bërë dhe që pret të bëjë ende, ka ardhur koha për të gjetur një sponsor dhe në fakt, ky sponsor është gjetur.

Bëhet fjalë për spitalin privat “Continental” i cili do të jetë sponsor zyrtar i Kamzës për edicionin e ri ku përveç shërbimeve të përditshme, stafi i spitalit do të jetë i gatshëm edhe për ndeshjet zyrtare të Kamzës.

“‘Spital Continental’ është sponsori zyrtar i skuadrës sonë. Përveç shërbimeve shëndetësore të niveleve të larta në përditshmëri, ekipi ynë do të ketë edhe një staf te caktuar mjekësor dhe autombulancën, që do të asistojnë gjithmonë gjatë ndeshjeve zyrtare”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/