Hoxha: Ditë vendimtare për mua, në Superiore ose me një ekip që njihet mirë nga Superiorja

I larguar vetëm pak ditë më parë nga Kukësi, mbrojtësi Rustem Hoxha ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë aventurën e tij, por një gjë është e sigurt: ish-mbrojtësi i Kukësit nuk do të largohet nga Kategoria Superiore.

“VIP Sport” ka kontaktuar me futbollistin dhe ka mësuar se ka oferta nga disa klube të ndryshme shqiptare dhe jo vetëm. Ai shton se ka pasur interesim serioz nga dy klube të Kategorisë Superiore, ndërkohë që orët e fundit, është shtuar edhe një ekip me emër jashtë Shqipërisë, kështu që ditët në vijim, do të vendosë.

“Të them të vërtetën, këto ditë kam përfituar nga koha për të shqyrtuar me më shumë qetësi ofertat, pasi nuk kanë munguar drejt meje. Mund të them se në Superiore do të qëndroja vetëm për dy ekipe por që emrat nuk mund t’i bëj të ditur për momentin.

Interesim ka pasur edhe nga një ekip nga jashtë Shqipërisë , por që këtu njihet mjaft mirë dhe tani mbetet të shoh se si do të ecin gjërat. Shpresoj që gjithçka të mbyllet shpejtë e të nis sezonin, pasi e ndjej veten që mund të jap ndihmën time për arritjen e objektivave”, u shpreh Hoxha.

Padyshim, nëse Hoxha qëndron në Shqipëri mbetet një vlerë për futbollin vendës, pasi më parë ka qenë edhe kapiten i Teutës së Durrësit, ndërkohë që edhe me Kukësin, ka pasur një rol të rëndësishëm në skuadër ku si Pakulti, ashtu edhe Milinkoviç e shihnin si siguri në mbrojtje. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/