FOTO / Shqiptarët nuk kujtohen, lojtarët dhe klubet e La Liga i urojnë kthim të shpejtë Sadikut

Armando Sadiku do të qëndrojë për të paktën 6 muaj larg fushave të blerta si pasojë e një dëmtimi në miqësoren e të shtunës që do ta detyrojë t’i nënshtrohet sot operacionit. Lajmi ka qarkulluar sot në të gjithë mediat shqiptare dhe spanjolle dhe ajo që bie në sy është se në Spanjë, lojtarë dhe klube të ndryshme i kanë uruar kthim sa më të shpejtë në fushë lojtarit shqiptar, ndërsa bashkëkombësit e tij ende jo.

I vetmi mesazh ishte ai i djeshmi i Bardhit, shumë pak po të llogarisësh se Sadiku është një prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses shqiptare dhe zakonisht futbollistët e përfaqësueses shqiptare nuk lënë futbollist të njohur në botë pa përmendur kur kanë situata të ngjashme. Ndërkohë që shokët e tij të skuadrës, menjëherë pas lajmit kanë qenë të parët që i kanë uruar kthim sa më të shpejtë në fushë bomberit kuqezi.

“Mik, duhet të jesh i fortë dhe të kesh zemër. Fatkeqësisht, një dëmtim i tillë na ka ndaluar shumë prej nesh që të bëjmë atë që na pëlqen më shumë gjatë një periudhe kohe. Por me dëshirën tënde dhe mbështetjen tonë, shumë shpejt do ta kalosh dhe të presim të kthehesh në maksimum. Ke mbështetjen tonë”, ishin fjalët e rivalit të Sadikut për një vend në formacion të Levante, Roxher.

Edhe Hoze Kampana kishte një mesazh sot për sulmuesin shqiptar. “Jam i sigurt që do të kthehesh më i fortë se kurrë”, ishin fjalët e futbollistit të Levantes.

Skuadra e Valencias, e cila është rivale në derbi me Levanten, ka qenë ndër të parat që i ka uruar kthim sa më të shpejtë sulmuesit shqiptar. “Shpresojmë: që të rikuperohet sa më shpejt të jetë e mundur. Të urojmë forcë”, ishte mesazhi në rrjetet sociale i klubit të Valencias.

Edhe Real Betis, po nëpërmjet rrjeteve sociale, i dërgoi një mesazh mbështetje sulmuesit shqiptar. “Të urojmë forcë. Të rikuperohesh duke e ditur që do të kthehesh me më shumë forcë. Do të takohemi në Levante-Betis të fazës së dytë”, ishin fjalët e klubit spanjoll.

Të gjitha mesazhe shumë domethënëse, apo jo? Sikur të kujtoheshin edhe shqiptarët kaq shumë… /vipsport.al/