“Fitore e hidhur” për Vllazninë e femrave, gjashtë pikë nuk mjaftuan…

Dominimi nga ekipi i femrave të Vllaznisë në futboll po vazhdon. Vajzat e drejtuara nga tekniku Nikolin Leka kanë marrë fitoren e dytë në grupin e tyre, duke mposhtur ekipin e Aneni Noi (Moldavi).

1-4 triumfuan vajzat shkodrane, me gola të shënuar nga Uendi Muja në minutën e 38′ dhe Megi Doçi në minutën e 41′. Në pjesën e dytë, rrjetën do ta gjenin edhe Lucie Gjini dhe sërish Uendi Muja, që ishte dhe lojtarja më e mirë e këtij takimi. Goli i vetëm për skuadrën moldave do të vinte vetëm një minutë para përfundimit të takimit.

Kjo ishte fitorja e dytë për Vllazninë e femrave, pasi në ndeshjen e parë dominuan totalisht kundër skuadrës Parnu (Estoni), duke i mposhtur  3-1./Veronik Istrefaj – vipsport.al/