Fillimi i mbarë… Pirlo braktis menjëherë stafin e Mançinit te Italia

Duhej të ishte një nga risitë më të mëdha të Roberto Mançinit te përfaqësuesja italiane, por dje është mësuar se Andrea Pirlo nuk do të jetë pjesë e stafit të teknikut për këtë edicion të paktën. Që kur la futbollin e luajtur, të gjithë pritnin që Pirlo të jepte kontributin e tij te Italia dhe Mançini me Federatën Italiane i kishin dhënë atij mundësinë që të bëhej menjëherë pjesë e projektit.

Por kontratat që kishte nënshkruar ai si opinionist në një televizion italian u kthyen në problem për ish-mesfushorin, pasi kishte përplasje mes datave të aktiviteteve dhe atyre kur ai do të ishte në studio.

Më shqetësuese në fakt ishte firma me sponsorë të ndryshëm të Pirlos, që kërkonin praninë e tij në evente dhe që shpeshherë ishin “konkurrentë” me sponsorët e përfaqësueses italiane. Kësisoj, dy palët kanë marrë vendimin që të mos nënshkruajnë një kontratë bashkëpunimi dhe Pirlo të qëndrojë larg përfaqësueses italiane. /vipsport.al/