“Eurosport” vlerëson më notë të lartë Gjimshitin: Nëse ikën, lë kujtim të mirë

Berat Gjimshiti vazhdon të jetë një emër i cili po përmendet gjithnjë e më shumë në merkaton italiane, pasi mediat përtej Adriatikut insistojnë se Sampdoria është gati të marrë futbollistin shqiptar, si transferim përfundimtar apo me formulën e huazimit. Por ndërkohë, lojtari sot ka dhuruar një paraqitje shumë bindëse në Ligën e Europës me skuadrën e Atalantës, aq sa ka marrë vlerësime të larta në mediat prestigjioze sportive.

Në portalin e “Eurosport”, Gjimshiti vlerësohet ndër më të mirët në fushën e lojës në fitoren e sotme përballë Hapoel. Rrjeti i njohur sportiv i ka vënë futbollistit notën 7 dhe i referohet jo vetëm lojës së tij në mbrojtje, por edhe asaj në sulm.

“Nëse në të vërtetë në merkato është një hap larg transferimit te Sampdoria, këtë mbrëmje ka lënë një kujtim shumë të mirë, duke iu afruar golit në dy raste, në lojën në ajër, kur dilte përpara në sulm”, shkruante portali i njohur për mbrojtësin shqiptar i cili pritet të jetë protagonist pas pak ditësh me fanellën e përfaqësueses. /vipsport.al/