EKSKLUZIVE/ Bylisi bën goditjen e radhës, firmos ish-sulmuesi i Partizanit

Skuadra e Bylisit duket se i ka objektivat e qarta për sezonin e ardhshëm duke qenë se po përgatitet seriozisht për edicionin e ri që nis vetëm pak javë më vonë. Përveç afrimeve të zyrtarizuara deri tani dhe ndërhyrjes në infrastrukturë, ballshiotët kanë bërë edhe goditjen e radhës në merkato.

“VIP Sport” ka mësuar ekskluzivisht se Bylisi ka siguruar shërbimet e ish-sulmuesit të Partizanit, Ardit Jaupaj që dy sezonet e fundit i ka luajtur në Kosovë me skuadrën e Flamurtarit dhe Feronikelit.

Nga Feronikeli ku aktivizohej së fundmi, Jaupaj u transferua në Gjirkoastër duke firmosur me Luftëtarin, ndërkohë që këta të fundit, kanë menduar ta huazojnë 22-vjeçarin te Bylisi në mënyrë që të rritet më shumë profesionalisht dhe të ketë minutat e duhura. Jaupaj shihet si një përforcim i nevojshëm për ballshiotët që objektiv këtë sezon kanë ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Kategoria e Parë do të nisë në datën 9 shtator, ndërkohë që ditën e hënë, në ambientet e FSHF-së do të hidhet edhe shorit për kalendarin e edicionit 2018-19. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/