Edhe Zhang drejt Madridit me Interin, për miqësoren dhe ëndrrën Modriç

Interi do të udhëtojë sot drejt Madridit me një mision të dyfishtë. I pari do të jetë ai i miqësores që do të luajë nesër kundër Atletiko Madrid, një test i rëndësishëm për të dy palët që të shohin se ku janë pak ditë para fillimit të sezonit të ri.

Por për zikaltërit, po aq i rëndësishëm është edhe objektivi i dytë, ai i kthimit drejt Milanos me kroatin Luka Modriç si pjesë të tyre. Në pritje të takimit mes kroatit dhe Perez ku futbollisti do të kërkojë largimin drejt Italisë, Interi do të jetë gati për çdo eventualitet. Ndaj sot, bashkë me skuadrën drejt Madridit do të udhëtojë edhe Stiven Zhang, djali i presidentit, i cili është gati të ndërhyjë në rast se do të jetë e nevojshme të bëhet pjesë e negociatave mes klubeve.

Gjithsesi, zikaltërit më parë do të presin të mësojnë se si do të shkojnë ngjarjet në takimet e organizuara sot, ku Perez fillimisht do të takohet me menaxherët e Modriç e më pas me vetë lojtarin, për të sqaruar të ardhmen e tij në radhët e ‘los blancos’. /vipsport.al/