Edhe në Berlin vjedhin, atletit shqiptar i mohohet fitorja në Europian (VIDEO)

Në Berlin po mbahet “Kampionati Europian” i atletikës në sallat e mbyllur. Gjatë mbrëmjes së shkuar, atleti shqiptar Izmir Smajlaj ka konkurruar për një vend në podium, duke shkuar edhe si kampion i Europës në fuqi.

Gara e tij në kërcim së gjati, ka qenë mjaft e mirë por juria e cila ka për detyrë të vlerësojë saktë distancën nuk e ka bërë këtë punë ashtu siç duhet. Ka qenë vetë atleti Smajlaj, ai i cili nëpërmjet një postimi në “Facebook” që ka denoncuar këtë rast dhe ka kërkuar drejtësi duke qenë se ai është pretendent për medalje.

“Të nderuar miq,
Si fillim dua t’iu falënderoj për mbështetjen e vëmendjen që më kushtuat këto 2 ditë ne garën time kualifikuese dhe finale. Por, më vjen keq që edhe në “Kampionatin Europian” të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat (mund të shikoni videon për të pare të vërtetën e kërcimit të 3-të i cili u deklarua 7,47m e më pas ma dhanë 7,73m, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre).
Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë për të gjithë, më dëmtoi imazhin tim si Kampion Europian i sallave te mbyllura aktual, si dhe më dëmtoi moralisht që të isha në zonën e medaljeve këtë vit. Unë, si atlet dhe bashkë me “Federatën Shqiptare të Atletikës”, kemi denoncuar këtë rast në institucionet përkatëse si në IAAF, dhe gjatë kohës po bëhen verifikimet e duhura. Shpresoj më të mirën!

Ju falënderoj e ju premtoj që në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shkruhej në postimin e atletit Izmir Smajlaj. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/