E uroi edhe Klinsman, trajneri i ri i Izraelit pret debutimin ndaj Shqipërisë

Endi Hercog duket se pret me padurim fillimin e punës së tij si trajneri i Izraelit pikërisht me ndeshjen e fillimit të shtatorit ndaj Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Në një intervistë për mediat në vendlindje, tekniku gjerman, i cili ka qenë ndihmësi i Jurgen Klinsman për shumë vite, ka treguar se si po e përjeton këtë periudhë pas ndeshjes së tij të parë në drejtim.

“Një zgjedhje e mirë”, janë fjalët që Klinsman i kishte thënë Hercog në momentin kur ky i fundit firmosi në Izrael, ku si objektiv kryesor ka të ndihmojë ekipin që të përmirësojë imazhin pas zhgënjimit në kualifikueset e Botërorit në një grup me Shqipërinë.

“Do të punoj shumë, po pres me padurim të fillojmë. Dua të rris sa më shumë futbollin e Izraelit, të ndërtoj një ekip me krijimtari në fazën e avancuar, por sigurisht që edhe mbrojtja është e rëndësishme”, tregoi ai.

Ashtu si përfaqësuesja shqiptare, pikët më të forta të Izraelit mbeten lojtarët që luajnë jashtë. “Një sfidë e madhe për mua”, pranoi trajneri, i cili gjatë këtij muaji para ndeshjes, do të udhëtojë për të parë nga afër në veprim këta lojtarë të cilët do të grumbullojë më pas kundër Shqipërisë. /vipsport.al/