Cungu kërkon një mrekulli në Elbasan: Pse jo? Kundërshtari ka dobësitë e veta

Kukësi do të hyjë në fushën e lojës jo thjesht për të marrë një rezultat të mirë për imazhin e klubit, por me synimin e qartë për të kërkuar kualifikimin e mëtejshëm në Ligën e Europës. Për këtë është i bindur trajneri Armando Cungu, i cili ka deklaruar sot në konferencë për shtyp se skuadra e ti do të provojë gjithçka për gjithçka në takimin që luhet në “Elbasan Arena”.

“Normalisht që kemi besim për ndeshjen. Nuk vjen rastësisht ky besim, por vjen duke pasur parasysh edhe forcën e ekipit dhe seriozitetin e djemve gjatë gjithë javës në stërvitje.

Futbolli ka treguar që mund të përmbyset çdo rezultat, për më tepër që ky besim na vjen po të kemi parasysh edhe ndeshjen e parë, ku përtej golave të pësuar ju jeni dëshmitarë që Kukësi ka krijuar shumë raste shënimi, çka do të thotë se kundërshtari ka dobësitë e veta dhe mundësitë janë reale për ta goditur.

Na lind e drejta legjitime që ta provojmë nesër, nuk është vonë për ta provuar dhe nuk mund të na ndali askush për ta bërë këtë gjë. Shpresojmë që pse jo të bëhet edhe nesër mrekullia dhe të japim edhe ne një sinjal tjetër besueshmërie që rezultatet edhe mund të kthehen”, deklaroi Cungu. /vipsport.al/