Askush si Simeone, tani argjentinasi shihet si anti-Reali

Diego Simeone ka kthyer Atletiko Madrid në një superfuqi në Spanjë dhe në Europë, një meritë e jashtëzakonshme e trajnerit argjentinas duke llogaritur se sa e madhe ishte diferenca mes klubeve të Madridit para se ai të ulej në stolin e kësaj skuadre.

Në pak vite, Simeone arriti të çonte rregullisht ekipin në finale të mëdha dhe sot u bë tekniku më i suksesshëm në historinë e këtij klubi duke kaluar Luis Aragones. Në këto vite ai ka fituar 7 trofe në stolin e kësaj skuadre: 2 Europa League, 2 Superkupa Europe, 1 La Liga, 1 Kupë Mbreti dhe 1 Superkupë të Spanjës.

Për më tepër, ai u bë trajneri i parë në historinë e Atletikos që fiton një finale ndaj Real Madrid në tre aktivitete të ndryshme. Kishte ndodhur në Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, tashmë atyre u shtohet edhe Superkupa e Europës. /vipsport.al/