Andre Silva pjesë e projektit? Jo më, arrihet akordi me klubin spanjoll

Ardhja e Gonzalo Higuain te Milani dhe forma që kaloi sezonin e fundit i riu Patrik Kutrone, duket se i ka shqetësuar të gjithë sulmuesit në kampin kuqezi duke qenë se pas Kaliniçit, një tjetër lojtar është shumë pranë largimit.

Bëhet fjalë për portugezin Andre Silva i cili erdhi te Milani gjatë verës së kaluar me shumë bujë dhe për të u shpenzuan rreth 40 milionë euro, por në një vit, ai nuk arriti të tregonte asgjë nga vetja e tij. Gjatë ditëve të fundit, për portugezin kishte disa oferta, por drejtuesit e Milanit u shprehën se ai nuk largohet këtë merkato.

Gjërat kanë ndryshuar orët e fundit, ose të paktën kështu raporton prestigjiozja spanjolle “Marca”, duke shtuar se është arritur akordi mes Milanit dhe Seviljas për transferimin e sulmuesit në Spanjë. Me këtë largim, do të shkonte në dy numri i sulmuesve të larguar në Spanjë këtë merkato pasi edhe Kaliniç firmosi me Atletikon. Më parë, drejt kampionatit spanjoll ka shkuar edhe Karlos Baka, një tjetër sulmues. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/