Analiza e sezonit/ Rikthim në Superiore me shpresën te titulli, ja si e nis Tirana sezonin e ri

Sezoni i fundit, duhet fshirë sa më parë nga kujtesa e tifozëve të Tiranës dhe kjo mund të bëhet vetëm duke e shlyer atë gabim që i kushtoi rënien nga Kategoria Superiore. Rënia në të parën, mund të shlyhet duke fituar këtë sezon titullin kampion dhe me merkaton e përgatitjet që Tirana po bën, duket se është një nga pretendentët kryesorë për të fituar.

Me Ze Marian e konfirmuar dhe shumë rinovime afrime të reja, Tirana shpreson që të ketë krijuar grupin e duhur për të përballuar të gjitha sfidat në rrugën e gjatë të kampionatit dhe Kupës.

SKUADRA
Boshti i skuadrës që arriti të ngjiste Tiranën në Kategorinë Superiore, ka mbetur i pandryshuar, ku Ngo pritet që të rikthehet së shpejti, ndërkohë që kapiteni Karabeci që nuk e la “anijen” vetëm, do të provojë tashmë një sukses në Kategorinë Superiore.

Edon Hasani, Shpëtim Moçka e Imami janë vlera të shtuara për bardheblutë të cilët e dinë mirë se sa peshë ka fanella e Tiranës, ndërkohë që edhe të afruarit nga jashtë, duhet të kuptojnë qartë objektivat e skuadrës.

AFRIMET
Dejan Blazhevski, Eni Imami, Edon Hasani, Vinsent Atinga, Uinful Kobina, Sedat Berisha, Gideon Ofei, Shpëtim Moçka.

LARGIMET
Hardi Binguila, Musa Muhamed, Alket Çelhaka, Alvaro Bishaj, Jurgen Vrapi, Alvi Ahmetaj, Patrik Bardhi, Rei Qilimi, Princ Çali, Keneth Muguna.

FORMACIONI I MUNDSHËM
Lika, Doka, Berisha, Atinga, Hoxhallari, Maveje, Hasani, Karabeci, Kobina, Blazhevski, Sentamu

 

TRAJNERI
Trajneri brazilian, Ze Maria arriti të fitonte besimin e drejtuesve bardheblu që në Kategorinë e Parë, aty ku ngjitjen në superiore nuk e diskutoi për asnjë moment. Pavarësisht faktit se kundërshtarët ishin shumë më të dobët se Tirana në letër, bardheblutë arritën të bindin edhe me lojë përveç se me rezultat.

Ze Marias i janë plotësuar edhe disa nga kushtet që ai ka pasur për merkaton, duke mbajtur në ekip lojtarë të rëndësishëm për sezonin e ri, ndërkohë që një ndihmë mund t’i japë edhe rikthimi i Gent Muçës.

PROBLEMET
Problemi kryesor i Tiranës këtë sezon, lidhet më shumë me tifozët. Tifogrupi “Tirona Fanatics” vazhdon të jetë kundër presidencës dhe herë pas here nuk mungojnë “thumbat” në drejtim të kryesisë. Duke ditur se sa mbështetje japin në ndeshjet e kampionatit, padyshim mund të konsiderohen si lojtari i 12.

Lojtarët e rinj, mund të kenë problem ambientimin në skuadër, por edhe ata të cilët ishin pjesë e Tiranës sezonin e kaluar, do të duhet të mësohen me idenë se në Kategorinë superiore nuk ka skuadra të lehta dhe nënvlerësimi ndaj kundërshtarit, mund të dëmtojë bardheblutë. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/