Analiza e sezonit / Pa bujë por me ambicie, Partizani ndjek ëndrrën e zakonshme

Kjo verë për Partizanin nuk ka qenë si ato të zhurmshmet e viteve të kaluara. Të kuqtë kanë kaluar gjithçka me një qetësi thuajse të plotë, duke qëndruar larg projektorëve për të përgatitur një edicion në të cilin fillon thuajse nga e para ndërtimi i një cikli të ri.

Ndryshimet filluan nga stoli deri në përbërjen e skuadrës, ku thuajse nuk ka më lojtarë nga grupi i vjetër i cili për disa vite me radhë luftoi për titullin kampion, pa arritur të sigurojë atë. Të kuqtë vazhdojnë ta ndjekin atë objektiv dhe janë të ndërgjegjshëm që nëse nuk ia arrijnë, ky edicion do të cilësohet si dështim nga ana e tifozerisë së tyre.

Por megjithatë, këtë radhë kanë evituar bujën e deklaratat e zakonshme të pretendimeve të tyre, duke u përgatitur thuajse në heshtje të plotë, ndryshe nga çdo sezon tjetër. Ulja e shpenzimeve të kota bëri që edhe faza përgatitore të zhvillohej në Ohër për Europën dhe në Elbasan për kampionatin. Tifozët e përjetuan fillimisht në mënyrë negative e këtë ndryshim të kursit të klubit, por paraqitjet në miqësoret e fundit kanë ngrohur disi ambientin dhe pritet me kureshtje debutimi në kampionat.

Skuadra
Klubi ka vepruar në merkato thuajse në heshtje të plotë, duke bërë lëvizje minimale, por duke pasur objektiv të qartë për të përforcuar ekipin në pikat kyçe. I pari është sulmi, i cili nuk ka qenë në nivelet e pritshme në sezonin e kaluar ndaj janë bërë afrime të rëndësishme si Hebaj dhe Mensah, ndërsa priten edhe emra të tjerë të zyrtarizohen së shpejti për të plotësuar repartet e tjera, si koreano-veriori Hjun-Uk So.

Largimet e shumë futbollistëve kanë bërë që për momentin te të kuqtë të ketë më pak alternativa në stol, por do t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve që janë afruar në muajt e fundit në skuadër..

Afrime
Ardit Hila, Rron Statovci, Eneo Bitri, Riza Zhdrella, Henri Okebgvu, Rubin Hebaj, Emanuele Mensah.

Largime
Arbnor Fejzullahu, Idriz Batha, Blerim Kotobelli, Emran Ramadani, Alban Sulejmani, Milan Culum, Stefan Nikoliç, Besart Abdurrahimi.

FORMACIONI I MUNDSHËM

 

Trajneri
Emërimi i Skënder Gegës në stolin e të kuqve është pritur me mjaft kureshtje nga tifozeria e kuqe. Gega është një emër i njohur i cili ka qenë gjithmonë pranë klubit dhe më në fund iu dha drejtimi i skuadrës për të filluar një cikël të ri.

Klubi ka cilësuar shumë pozitiv faktin se tekniku ka qejf të punojë me të rinjtë dhe ka treguar se mund të arrijnë rezultate me ta, siç ka bërë në drejtimin e përfaqësueseve të moshave U19 dhe U21. Kjo është eksperienca e tij e parë në drejtimin e një klubi në Superiore dhe do të jetë ndër risitë e këtij sezoni në elitën e futbollit shqiptar.

Problemet
A do të arrijë Partizani të dalë nga cikli i zakonshëm i viteve të fundit ku ka ndryshuar plotësisht në mes të sezonit? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë tifozët e të kuqve të cilët kanë parë se shumë shpesh skuadra ka ndryshuar plotësisht në mes të rrugës, duke marrë një drejtim tjetër, për mirë apo për keq. Kjo është edhe sfida më e madhe e këtij Partizani, që kishte humbur qëndrueshmërinë dhe shtyu klubin të vendoste për ndryshimin e plotë duke shpërbërë grupin e vjetër të lojtarëve.

Një telash më vete është edhe çështja e Çanit, mbetet ende e paqartë nëse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e të kuqve në sezonin e ri apo jo. /E.K. /vipsport.al/