Analiza e sezonit / Një kampion në stol dhe fantazi amerikano-latine, Flamurtari kërkon historinë

Në tentativën e radhës për të bërë diçka pozitive, drejtuesit e Flamurtarit kanë bërë disa lëvizje të rëndësishme për skuadrën e sezonit të ri. Ata kanë menduar se Flamurtari ka pasur nevojë për një trajner me mentalitet fituesi dhe për këtë arsye kanë zgjedhur Ilir Dajën, trajnerin kampion në fuqi me Skënderbeun. Kryeqytetasi pranoi ofertën vlonjate dhe projektin për ta ngjitur Flamurtarin në majat e futbollit shqiptar.

Kuptohet që këto lëvizje nuk bëhen rastësisht, ashtu si kërkesa për të afruar emra sa më të njohur në radhët e skuadrës, pasi vlonjatët kanë bindjen se nën drejtimin e Ilir Dajës mund të luftojnë jo vetëm për t’u kthyer në Europë, por edhe për të synuar një titull historik.

Skuadra

Në grupin e lojtarëve ka pasur jo pak lëvizje në të dy kahet, largime dhe afrime. Ndër humbjet më të mëdha janë ato të mbrojtësit të qendrës Ditmar Bicaj, mesfushorit Sidibe dhe sulmuesit brazilian Danilo Alvesh. Janë largime që kanë prishur punë. Ende vlonjatët nuk kanë gjetur një mbrojtës qendre me përvojë, që t’i bashkohet Pollozhanit dhe Veliut.

Në mesfushë, vendin e afrikanit Sidibe, mjaft i rëndësishëm sezonin që shkoi, e ka zënë ish-kapiteni i Partizanit, Batha, që mendohet të përbëjë treshen e këtij reparti bashkë me Useinin dhe Mustën. Për këtë të fundit, trajneri Daja ka menduar që të ketë një rol të ri në mesfushë, si Muzaka te Skënderbeu, pra një lojtar që të jetë më afër portës.

Për sulmin, që do të udhëhiqet nga kapiteni Bushiç, janë afruar argjentinasi Torasa, që e njeh kampionatin shqiptar, pasi është aktivizuar më parë me Partizanin, si dhe Kale. Por ky i fundit ende nuk mund të quhet zyrtarisht lojtar i Flamurtarit, për shkak se Kukësi pretendon se lojtari ka shkelur rregullat. Titullari i portës do të jetë Enea Koliçi, i ardhur nga Kukësi.

Afrime
Enea Koliçi, Arbër Beqaj, Blerim Kotobelli, Idriz Batha, Agustin Torasa, Argjend Mustafa, Elton Kale (i pazyrtarizuar)

Largime
Adis Nurkoviç, Ditmar Bicaj, Lansinet Sidibe, Seku Kamara, Igor Nedeljkoviç, Muarem Muarem, Danilo Alvesh, Fisnik Zuka, Ardit Hoxhaj, Viktor Zhufo, Mahmadu Tunkara.

FORMACIONI I MUNDSHËM

Trajneri
Në Vlorë e kishin të qartë se për të synuar objektiva madhorë, në skuadër duhej afruar një ekspert i Superiores. Daja është i tillë pasi ka fituar thuajse kudo që ka shkuar. Ai vjen si kampion me Elbasanin, Dinamon e së fundmi Skënderbeun, por sidomos me një CV që tregon se ka ndërtuar ekipe që luanin futboll të bukur, kudo që ka qenë.

Largimi i trajnerit nga Skënderbeu drejt Flamurtarit në fund të sezonit mund të krijojë jo pak probleme dhe të ringjallë një marrëdhënie të tensionuar mes dy tifozerive. Por vlonjatët janë gati të përballen me një situatë të tillë dhe trysninë që sjell emërimi i Dajës.

Problemet
Gjërat nuk kanë shkuar siç mendohej në merkato, të paktën deri tani. Nga skuadra janë larguar shumë futbollistë gjatë verës, emra për të cilët klubi kishte shpenzuar shumë në sezonet e kaluara dhe Dajës i mungon ende njeriu-gol. Klubi ka kontaktuar me lojtarë të ndryshëm me emër gjatë këtij muaji, por për momentin ka marrë përgjigje negative. Ndonëse pritet që të ketë afrim në sulm në javët në vijim, bashkimi i tij me skuadrën, kushdo qoftë, do të jetë një problem sa i përket përshtatjes me ekipin.

Ndërkohë, në Vlorë janë kureshtarë të dinë se çfarë trajtimi do të marrin këtë vit nga FSHF, pasi në sezonin e kaluar ambiciet e tyre u shuan rrugës pasi u masakruan sistematikisht me dënime e vendime të dyshimta gjyqtarësh derisa u dorëzuan përfundimisht dhe mbyllën sezonin në hije. /F.R./vipsport.al/