Analiza e sezonit / Më pak kualitet dhe me ankthin e KAS-it, si nis Skënderbeu edicionin

Dashje pa dashje, Skënderbeu e nis kampionatin e ri me “flamurin në gjysmë shtizë”, pa entuziazmin e zakonshëm, edhe pse sapo ka fituar Superkupën. Beteja me UEFA-n dhe pritja plot ankth e vendimit të KAS-it, ku ka pak gjasa që dënimi 10-vjeçar nga Kupat e Europës të hiqet apo minimizohet, bën që ekipi korçar të mos ketë atë potencën dhe superioritetin e viteve të fundit, kur konsiderohej pretendent absolut.

Kjo situatë bëri që te Skënderbeu të ndodhin shumë ndryshime, me një projekt të ri nga ana e presidentit Takaj. Ai u ofroi lojtarëve kontrata më të ulëta financiare deri në fund të vitit, por me bonuse të larta, nëse KAS-i vendos pro Skënderbeut. Shumë titullarë nuk besuan se mund të ndodhë kështu dhe u larguan nga ekipi.

Skuadra
Në ekip kanë mbetur më pak se gjysma e titullarëve. Janë larguar portieri Shehi (trajner tani), mbrojtësit Tefik Osmani dhe Gledi Mici, mesfushori Sabien Lilaj dhe treshja e sulmit e përbërë nga Enis Gavazaj, Xhejms Adeni dhe Ali Soue. Pra, janë shtatë titullarë të larguar, ndërkohë që kanë qëndruar Kristi Vangjeli, Marko Radas, Fidan Aliti dhe Gjergji Muzaka nga titullarët, po ashtu edhe Bruno Dita, Bakari Nimaga dhe Emiljano Vila e disa të tjerë.

Drejtuesit e Skënderbeut e kanë gjetur zgjidhjen për forcimin e ekipit te lojtarët e huazuar. Janë kthyer sulmuesi Oto Xhon, Bruno Lulaj, Ardit Hoxhaj, Paolo Ivani e ndonjë tjetër. Blerja më e bujshme është ajo e vlonjatit Dejvi Bregu, kurse porta i është besuar Aldo Teqjas, i cili luajti javët e fundit të sezonit që shkoi. Janë afruar edhe disa lojtarë të rinj, që premtojnë shumë për të ardhmen dhe që i përgjigjen politikës së klubit korçar.

Afrime
Bruno Lulaj, Oto Xhon, Ardit Hoxhaj, Anteo Osmanllari, Paolo Ivani, Xhefri Bushi, Dejvi Bregu, Zenel Gavazaj, Almir Ajzeraj, Mohamed El Kajed, Saliou Guindo.

Largime
Orges Shehi, Tefik Osmani, Gledi Mici, Sabien Lilaj, Suad Sahiti, Enis Gavazaj, Xhejms Adeni, Ali Soue.

FORMACIONI I MUNDSHËM

Trajneri
U largua edhe trajneri triumfator Ilir Daja, i cili fitoi gjithçka me korçarët, por nuk e pranoi projektin e presidentit Takaj dhe vendosi të firmosë për Flamurtarin, ku mori edhe ndihmësin Ardjan Mema. Stoli i Skënderbeut i është besuar portierit legjendar Orges Shehi, i tërhequr nga futbolli i luajtur, pasi theu çdo rekord me korçarët. Ai ka marrë në staf Edlir Tetovën si ndihmës, ndërkohë që kanë qëndruar Ilir Bozhiqi dhe Gentjan Liçi nga stafi i mëparshëm.

Problemet
Shqetësimi kryesor i ekipit është vendimi i KAS që duhet të merret para fundit të vitit 2018. Askush nuk di se si do të shkojnë gjërat pas tij, nëse klubi do të vazhdojë të jetë po kaq entuziast për afrimin e emrave të rinj apo për të luftuar për trofe. Sezoni dhe e ardhmja e Skënderbeut mund të ndryshojë plotësisht pas atij vendimi. /F.R./vipsport.al/