Analiza e sezonit/ Me kujtimet e Europës dhe ndryshime të shumta, Kukësi e nis duke parë nga titulli

Kukësi do ta nisë këtë sezon me petkun e nënkampionit të Shqipërisë dhe si skuadra që mori pjesë në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës, por pa arritur objektivin që ishin grupet. Skuadra ka pasur disa ndryshime, por pa e prekur boshtin e “të vjetërve”.

Me Armando Cungun në krye, Kukësi do të synojë titullin kampion, që sezonet e fundit ka qenë gjithmonë prioritet te verilindorët, por që u arrit vetë para dy sezonesh.

SKUADRA

Megjithëse para se të hapjet merkatoja, te Kukësi këmbëngulnin se nuk do të ketë shumë ndryshime, por vetëm afrime që shihen si të detyruara, kjo verë ka qenë shumë aktive pasi janë afruar plot 15 lojtarë, duke nisur që nga portieri e deri në sulm, përfshirë edhe trajnerin ku Pakulti u largua për t’i lënë vendin Cungut.

Mungesa më e madhe pritet të jetë ajo e Gurit, megjithëse Rexhinaldo ka bërë mirë në dy sfidat e para me fanellën e verilindorëve, ndërkohë që edhe largimin e Koliçit, e ka zëvendësuar Faton Maloku.

AFRIMET

Faton Maloku, Arlind Kalaja, Sebino Plaku, Vangjel Zguro, Edis Maliqi, Uilliam Kordeiro, Harallamb Qaqi, Vesel Limaj, Dino shpehar, Haris Harba, Arbër Çyrbja, Roxher Rodrigez, Arturo Rexhinaldo, Omar Ture, Ardian Cuculi.

LARGIMET

Sindrit Guri, Amido Balde, Bujar Idrizi, Filip Zderiç, Eni Imami, Albi koldashi, Klevis Sadiku, Maldin Ymeraj, Elton Kale, Enea Koliçi

FORMACIONI I MUNDSHËM

KUKËSI: Frashëri, Maliqi, Qaqi, Shameti, Rrumbullaku, Musolli, Dzaria, Uilliam, Harba, Çyrbja, Rexhinaldo
Trajner. Armando Cungu

TRAJNERI

Armando Cungu është një trajner që e njeh mirë ambientin e Kukësit duke qenë se para disa sezonesh, ai arriti të hynte në historinë e futbollit shqiptar.

Kukësi debutonte atë sezon në Superiore dhe menjëherë u rendit në vendin e dytë duke u shpallur nënkampion. Në Europë, Kukësi bëhej skuadra e parë shqiptare që kalonte tre ture dhe eliminohej në “Play Off”. Nga Kukësi i hershëm i Cungut, ka mbetur Musolli dhe Rrahman Hallaçi, me këtë të fundit që do të jetë ndihmës këtë sezon, ashtu si edhe sezonin e kaluar.

PROBLEMET

Afrimet e shumta që Kukësi ka bërë këtë sezon, mund të kenë një ndikim negativ në skuadër pasi duan kohën e tyre për t’u ambientuar dhe kjo u pa edhe në ndeshjet e Europës, ku verilindorët arritën të fitonin vetëm përballë Torpedos në 6 takime.

Përveç afrimeve të reja, Kukësi do të duhet t’i luajë ndeshjet pritëse në Elbasan, pasi stadiumi “Zeqir Ymeri” nuk është licencuar nga FSHF-ja. Faktori fushë, mund të ndikojë shumë te verilindorët pasi në vitet e fundit, stadiumi i tyre ka qenë një fortesë. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/