Analiza e sezonit / E nis me 17 emra të rinj, projekti i Kamzës që synon Europën

Kamza e këtij sezoni do të ketë synim jo thjesht mbijetesën, por të luftojë për t’u bërë pjesë e grupit të skuadrave që duan të sigurojnë pjesëmarrjen në Europë. Ndaj në skuadër janë bërë lëvizje të mëdha, duke bërë afrime të rëndësishme për të vënë në dispozicion të trajnerit Devolli emra sa më cilësorë.

Në sezonin e kaluar, skuadra luftoi deri në javën e fundit për mbijetesë dhe te Kamza nuk duan ta përjetojnë më një situatë të tillë. Ndaj është menduar që të afrohen elementë me eksperiencë, të kombinuar me të rinj, duke sjellë në radhët e skuadrës deri tani 17 futbollistë, si askush tjetër në këtë edicion, për të pasur sa më shumë alternativa në dispozicion gjatë sezonit.

Skuadra
Nga sezoni i kaluar në radhët e ekipit kanë mbijetuar disa nga emrat kryesorë që përbënin boshtin e skuadrës një sezon më parë dhe i jepnin cilësi ekipit si Avdyli në portë, Frashëri në mbrojtja apo Arrabal dhe Rezi në mesfushë. Atyre tashmë u bashkohen emra me shumë peshë të cilët njohin Superioren dhe që mund të bëjnë diferencën si Teqja, Orelesi e Beqiri, pa harruar këtu Martinena që rikthehet apo talentin Zisi që ndiqej nga shumë klube në elitën e futbollit shqiptar.

Me një grup të tillë, kamzalinjtë hedhin kandidaturën për të qenë surpriza e këtij sezoni dhe për të qëndruar gjithmonë larg zonës së ftohtë të klasifikimit, pasi ambiciet e tyre janë rritur tashmë.

Afrime
Nestor Martinena, Olsi Teqja, Nuredin Orelesi, Plarent Fejzaj, Klaudio Bonani, Niko Zisi, Orjad Beqiri, Xhuljo Turhani, Majkëll Peci, Albi Koldashi, Klevis Sadiku, Soni Hoti, Petrika Ropi, Rigers Balliu, Mikel Brahlika, Kristi Sulenji, Ognjen Roloviç.

Largime
Sebino Plaku, Vangjel Zguro, Taulant Kuqi, Leo Lelis, Realdo Fili, Masato Fukui, Demir Imeri, Alfred Zefi, Stevan Raciç, Arbër basha, Fabio Gjonikaj, Alken Agalliu, Ersil Ymeraj, Igor Çukoviç.

FORMACIONI I MUNDSHËM

Trajneri
Bledar Devolli është një emër i njohur si për Kamzën, ashtu edhe për Superioren, për vitet si futbollist e trajner. Por deri një muaj më parë, klubi kishte plane të tjera, pasi kishte afruar dhe prezantuar zyrtarisht si trajner ish-kampionin e Botës me Italinë, Pietro Vierkovud.

Tekniku pritej të fillonte punën por në momentin e fundit u tërhoq, duke bërë që klubi të kthente sytë nga Devolli, i cili njeh mirë ambientin dhe kampionatin shqiptar. Për të, nuk do të jetë një detyrë e lehtë, pasi duhet të krijojë nga e para një ekip pas ndryshimeve të shumta në përbërje.

Problemet
Si mund të bëhet një skuadër nga e para dhe njëkohësisht të jetë konkurruese në Superiore? Ky do të jetë problemi kryesor i Kamzës në këtë sezon. Në klub janë afruar shumë lojtarë të cilët padyshim kanë shumë cilësi. Por problemi më i madh do të jetë që në një kohë të shkurtër të gjithë të fillojnë të kuptojnë lojën e njëri-tjetrit dhe të funksionojnë si grup.

Gjithashtu, klubit i duhet të zgjidhë sa më parë situatën me Plakun, nëse do të kthehet apo jo nga Kukësi, pasi prania e tij ndryshon plotësisht edhe lojën ofensive të ekipit. /E.K./vipsport.al/