Alegri: I thashë ‘jo’ Realit se ia kisha premtuar Anjelit

Vera e Juventusit mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse Masimiliano Alegri do t’i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Real Madrid për të zënë vendin e lënë bosh nga Zinedin Zidan. Por Alegri vendosi t’i thoshte jo asaj ftese dhe tani klubi i ka vënë në dispozicion një skuadër me të cilën do të jetë në Ligën e Kampioneve si një prej pretendentëve për ta fituar atë.

“I kisha bërë një premtim presidentit Anjeli, ndaj respekt maksimal për Juventusin dhe mbajta fjalën, këto ishin argumente që më bindën që të refuzoja me qetësi thirrjen nga Reali, klubi më i madh në botë, ëndrra e të gjithë trajnerëve”, shpjegoi tekniku i bardhezinjve.

“Do të isha hipokrit nëse do të thosha se nuk ndjeva krenari që Reali më mori në konsideratë, por jam plotësisht i bindur për zgjedhjen që kam bërë. Unë si Bufon a Del Piero te Juventusi? Absolutisht nuk dua që të krahasohem me ata, pasi janë lojtarë që kanë shkruar historinë e Juventusit kurse unë kam vetëm 4 vite këtu”, deklaroi Alegri. /vipsport.al/