Afrimi i ri i Teutës optimist për sezonin e ardhshëm: Do të kapim Evropën…

Mbrojtësi më i ri i Teutës, Ditmar Bicaj ka dhënë intervistën e tij të parë, që pas kalimit të tij në ekipin durrsak. Mbrojtësi lezhjan ka treguar arsyet se pse zgjodhi skuadrën e Teutës për të vazhduar karrierën e tij, foli për marrëdhëniet me trajnerin Shkëmbi dhe zbuloi objektivat e “Djemve të Detit” për sezonin e ri.

“Normalisht që ishte një telefonatë e tashmë profesorit tim, Shkëmbit, që më bindi. Duke parë edhe ambientin këtu, por edhe dëshirën për të bashkëpunuar me ta, nuk ngurrova të vija te Teuta”,- deklaroi Bicaj.

“Skuadra është në kulmin e ngarkesave fizike. Ka shumë lojtarë të rinj, por cilësorë. Me afrimin e Osmanit, por edhe të Hidit, besoj se do të alternohen mirë freskia me eksperiencën”, tha mbrojtësi lezhjan.

“Do jetë diçka e bukur besoj, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë sa më shumë, që Teuta këtë vit të jetë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar”, deklaroi Bicaj.

“Nuk është se kemi ndonjë objektiv konkret nga klubi, por duke parë përbërjen që disponojmë në ekip, them se do jemi në 4 vendet e para dhe besoj se do të ishte shumë bukur të dilnim në Europë”, u shpreh mbrojtësi Bicaj./Veronik Istrefaj – vipsport.al/