Zyrtare / Kukësi ndeshet me Karabak në turin tjetër, Agolli luan vetëm 1 minutë

Tashmë është zyrtare, Kukësi do të luajë turin e dytë të Ligës së Kampioneve ndaj skuadrës që ka dominuar futbollin në Azerbajxhan në vitet e fundit, Karabak. Ekipi në të cilin bën pjesë edhe mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Ansi Agolli, ka prerë sot biletën duke u kualifikuar nga dueli me Olimpija Ljubjanën, ndonëse jo pa vështirësi.

Pasi fitoi 1-0 në ndeshjen e parë në transfertë të cilën të dy skuadrat e mbyllën me 10 lojtarë, sot Karabak e kishte shumë të vështirë të mbyllte diskutimin e kualifikimit përballë sllovenëve të cilët bënë shumë rezistencë e për më tepër, sulmuan deri në fund duke iu afruar shpesh një goli që do të hapte plotësisht kualifikimin.

Por në vërshëllimën përfundimtarë të gjyqtarit, në fuqi mbetën shifrat 0-0 dhe Karabaku iu gëzua kualifikimit të mëtejshëm ndërsa javën tjetër do të përballet me Kukësin në Shkodër në ndehsjen e parë e pas dy javësh në Baku. Duhet theksuar se  Ansi Agolli e ka ndjekur takimin nga pankina, për t’u aktivizuar vetëm në minutën e 94-t, që do të thotë se aktualisht, pavarësisht rinovimit me këtë klub, nuk shihet si pjesë e titullarëve. /vipsport.al/