Zhduken dy klube “shqiptarësh” në Itali, duhet ta nisin nga e amatorët

Seria B ka humbur dy skuadra të rëndësishme, dy klube ikonë në Itali. Bari dhe Çezena janë zyrtarisht të falimentuara dhe nuk janë regjistruar dot në kohë për sezonin e ardhshëm, duke kërkuar tani pronarë të rinj për të rifilluar rrugëtimin nga kategoritë amatore, me shumë mundësi nga Seria D.

Bari shpresonte deri në minutën e fundit që pronari i ri të siguronte 4,5 milionë eurot që duheshin për të mbuluar detyrimet ndaj palëve të treta, por nuk ia doli. Ndërsa Çezena bëri të ditur që në mëngjes se kishte filluar procedurën zyrtare të falimentimit.

Kësisoj, futbolli italian humbet dy emra të njohur, të cilët deri disa vite më parë gjendeshin në Serinë A dhe në radhët e të cilëve kanë luajtur disa futbollistë shqiptarë. Te Bari, në dy sezonet e fundit ka luajtur Migjen Basha, e më parë edhe Edgar Çani. Ndërkohë, te Çezena ishte Erjon Bogdani ai që kaloi dy nga sezonet më të mira të karrierës së tij, duke shkëlqyer me atë skuadër në Serinë A. /vipsport.al/