Vjen firma në kontratë, Kotobelli bëhet pjesë e Flamurtarit

Klubi i Flamurtarit ka siguruar një tjetër element për sezonin e ri, duke i shtuar alternativat në krahun e majtë të mbrojtjes trajnerit Ilir Daja. Ndonëse Emiljano Musta ka luajtur rregullisht në prapavijë në edicionin e kaluar, duke spikatur shpesh me lojën e tij, klubi ka afruar një tjetër mbrojtës të majtë për të rritur rivalitetin, Blerim Kotobellin.

Futbollisti i cili pak javë më parë u shkëput nga Partizani, ishte prej kohësh në negociata me vlonjatët, por marrëveshja është finalizuar vetëm sot dhe ai ka nënshkruar për sezonin e ardhshëm me klubin bregdetar.

Kotobelli në të kaluarën ka luajtur me Tiranën e Teutën, para se të bëhej pjesë e Partizanit. Në sezonin e kaluar, ai mendohej se do të ishte titullar fiks në radhët e skuadrës kryeqytetase, por ndryshimet e vazhdueshme bënë që ai të humbte vendin e së fundmi, të mbyllte para kohe marrëveshjen me klubin e Partizanit. /vipsport.al/