VIDEO/ Lë nam në prezantimin me top, talenti brazilian i Realit: Jam si Nejmari

Sot është prezantuar zyrtarisht te Real Madridi talenti brazilian, Vinisius Junior. 18-vjeçari vjen nga skuadra e Flamengos, ku për shërbimet e tij, madrilenët kanë paguar plot 45 milionë euro.

Ai shihet si një ndër lojtarët më premtues, ku në Brazil ka treguar një nivel me të vërtetë të lartë dhe shpesh herë, është krahasuar me patriotin e tij Nejmar.

Gjatë prezantimit me top, në fakt gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë për talentin, duke qenë se shpesh herë ka “dështuar” në ato që ai donte të bënte. Në prononcimin e tij të parë si madrilen, Vinisius është shprehur se ndihet shumë i lumtur për këtë kalim, duke e krahasuar veten me Nejmarin.

“Jam shumë i lumtur dhe nuk kam fjalë që të përshkruaj emocionet që kam në këto momente. Është një ndjenjë e mrekullueshme kur mendon se atë që kam bërë mirë te Flamengo, duhet ta bëj tani në një skuadër të madhe si Reali. Mund të them, se në lojë jam si Nejmari”, ishin fjalët e para të 18-vjeçarit. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/