VIDEO / Kroacia shkruan historinë e futbollit, eliminon Anglinë dhe shkon në finale

Kroacia ka shkruar sot historinë e Kupës së Botës, duke mundur me përmbysje Anglinë për të shkuar për herë të parë në finalen e turneut. Atë që nuk e bëri “brezi i artë” i vitit 1998 e bëri grupi i udhëhequr nga Zlatko Daliç, i cili me një qetësi të admirueshme ka drejtuar ekipin drejt një suksesi që pakkush e mendonte të mundshëm në fillimin e këtij turneu.

Anglezët e filluan në mënyrën më të mirë të mundshme, me një gol pas pak minutash me Tripier i cili ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi. Por kroatët pak nga pak rritën lojën e tyre dhe në pjesën e dytë arritën të barazonin shifrat me Perisiç me një gjuajtje mjeshtërore. Rezultati nuk ndryshoi më deri ën vërshëllimën përfundimtare, ndonëse kroatët iu afruan edhe disa herë portës kundërshtare dhe krijuan rastet më të mira për të shënuar.

Në shtesë erdhi edhe momenti vendimtar i ndeshjes, kur një spondë me kokë e Perishiç gjeti në zonë Manxhukiç i cili mposhti Pikford për t’i dhënë suksesin 2-1 skuadrës së tij e cila ishte e aftë të administronte gjithçka deri në vërshëllimën e fundit të ndeshjes.

Kroacia në finale dhe Anglia që duhet të kënaqet përsëri, ashtu si në vitin 1990, me ndeshjen për vendin e tretë dhe medaljen e bronztë ndaj Belgjikës. /vipsport.al/

Kroaci-Angli 2-1
67′ Perisiç, 107′ Manxhukiç /5′ Tripier

Kroacia: Subashiç, Vrsaljko, Vida, Striniç (95′ Pivariç), Lovren, Perishiç, Rakitiç, Modriç (119′ Badelj), Brozoviç, Manxhukiç (115′ Çorluka), Rebiç (101′ Kramariç).
Trajner: Z. Daliç

Anglia: Pikford, Uollker (112′ Vardi), Stouns, Meguajr, Tripier, Jang (91′ Rouz), Henderson (97′ Dajer), Lingard, Dele Alli, Kejn, Sterling (74′ Rashford).
Trajner: G. Sauthgejt

KV: Manxhukiç, Rebiç /Uollker