VIDEO / Franca është përsëri Kampione Bote! Kroacia merr duartrokitjet

Franca kthehet në majën e botës pas 20 vitesh!. E bën duke u treguar më cinike se kurrë më parë, për të mposhtur 4-2 Kroacinë e cila dhuroi një lojë të shkëlqyer dhe kishte thuajse gjithmonë iniciativën, por u ndëshkua me çdo gabim që bëri.

Pjesa e parë
Kroacia filloi më kërkuese ndeshjen, duke kërkuar me presing të lartë të vinte në vështirësi mbrojtjen e francezëve e cila u detyrua shpesh të largonte me shpejtësi topin për të evituar surpriza para Loris. Por kur dukej se kroatët do të gjenin golin e avantazhit, ishin francezët ata që gjetën rrjetën, pa gjuajtur në portën kundërshtare. Pas një goditje dënimi të Grizman, Manxhukiç i pafat devijoi me kokë topin në portën e tij duke kaluar “gjelat” në avantazh.

Përgjigja e kroatëve erdhi shumë shpejt pas zhvillimit të një goditje dënimi në minutën e 28 të ndeshjes. Francezët nuk arritën të largonin topin nga zona dhe sfera mbërriti te Perishiç, i cili me një gjuajtje të fortë mposhti Loris duke barazpeshuar rezultatin e ndeshjes.

Vetë autori i golit për kroatët u bë protagonist pak minuta më vonë, ku devijoi me dorë topin pas një goditje nga këndi, duke shkaktuar një penallti. Vendimi për të u mor vetëm pas një konsultimi të gjatë të VAR, mes protestave kroate. Grizman shkoi te pika e bardhë dhe transformoi me saktësi duke kaluar përsëri në avantazh ekipin e tij.

Me këtë rezultat, si dhe me kroatët në sulm, u mbyll fraksioni i parë i lojës ku ballkanasit ishin shumë më aktivë por u ndëshkuan nga gabimet e tyre.

Pjesa e dytë
Ashtu si në pjesën e parë, kroatët e filluan takimin shumë vrullshëm, duke provuar me çdo mënyrë të shënonin dhe të kthenin këtë sfidë në shina. Por pavarësisht rasteve të njëpasnjëshme që krijuan, golit iu gëzuan përsëri francezët. Pas një kundërsulmi të shpejtë të Mbape, topi përfundoi te Po9gbai cili pasi provoi pa fat me të djathtën, goditi saktësisht me të majtën duke çuar në 3-1 shifrat për ekipin e tij.

Francezët përfituan nga dëshpërimi i kroatëve dhe shpërqendrimi i tyre duke gjetur me shpejtësi edhe një tjetër gol, këtë radhë me talentin Mbape, i cili realizoi me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zonës. Kësisoj, ai barazoi brazilianin Pele si adoleshentët e vetëm që kishin realizuar në finalen e Botërorit.

Dukej gjithçka e mbyllur, por jo për kroatët. Manxhukiç insistoi dhe u shpërblye me gol, pas një gafe të Loris i cili nuk arriti të largonte një top të kthyer mbrapa.

Minutat në vazhdim panë Kroacinë të kërkonte me ngulm një tjetër gol për të hapur plotësisht ndeshjen, por francezët dukeshin më të kujdesshëm dhe kontrolluan gjithçka deri në vërshëllimën finale, për t’u siguruar që do të vendosnin yllin e dytë në fanellë, 20 vite pas të parit.

FRANCË-KROACI 4-2
18′ Manxhukiç (ag), 38′ Grizman (p), 59′ Pogba, 65′ Mbape / 28′ Perishiç, 68′ Manxhukiç 

Francë: Loris, Pavard, Varane, Umtiti, Hernandez, Pogba, Kante (55′ Nzonzi), Mbape, Grizman, Matuidi (73′ Toliso), Zhirud (82′ Fekir).
Trajner. Didier Deshamp

Kroaci: Subasiç, Striniç (82′ Pjaca), Vida, Lovren, Vrsaljko, Brozoviç, Rakitiç, Perishiç, Modriç, Rebiç (71 Kramariç), Manxhukiç
Trajner. Zlatko Daliç

KV: Kante, Hernandez / Vrsaljko