VIDEO / Fjalimi emocionues i liderit Pogba para finales: Dilni në fushë si luftëtarë, kthehuni me lot gëzimi

Harrojini Loris, Kante, Mbape, Grizman apo Varane. Lideri i Francës që u shpall Kampione Bote është vetëm një: Pol Pogba. Nëse nuk e besoni këtë, shihni videon në vijim, e regjistruar pak momente para ndeshjes më vendimtare të ecurisë së francezëve në rrugëtimin e tyre drejt trofeut.

Pogba ka qenë ai që ka mbajtur fjalimin emocionues para se skuadra të zbriste në fushë ndaj Kroacisë, duke u bërë thirrje që të shkruanin historinë e të bënin krenarë brezat në vijim.

“Nuk dua të flas shumë, e dimë të gjithë se ku jemi, e dimë të gjithë se çfarë kërkojmë, e njohim rrugën që kemi kaluar. Mund ta shoh në zemrat tuaja, në sytë tuaj, jemi të përqendruar. Djem, mos e harroni, jemi 90 minuta larg një historie të pabesueshme, një ndeshje, nuk e di se sa kemi luajtur në karrierat tona, në jetën tonë, por këtu do të ndryshojë gjithçka, këtu ndryshon historia.

Janë dy skuadra dhe një kupë, është e njëjta për ta, e duan. Ne e kemi humbur një finale, e dimë, e kemi ende këtu. Sot duhet të shohim njëri-tjetrin dhe të mos të lejojmë asnjë skuadër tjetër që të marrë atë që na përket. Sot duhet të fitojmë një vend në kujtimet e francezëve, të fëmijëve të tyre, të nipërve të tyre.

Sot, vetëm 90 minuta na ndajnë nga historia, ndaj tani ju shoh, nuk dua të ulërij. Të dalim në fushë si luftëtarë. Dhe më pas dua t’ju shoh në lot, lot gëzimi, jo lot trishtimi. Lot gëzimi në fushë dhe të gjithë që puthemi e përqafohemi. Dakord?”, ishte motivimi emocionues i Pogba para finales. Ajo që ndodhi më pas, i përket historisë… /vipsport.al/