Të gjithë i shohin si rivalë, por Nejmar nuk harron të urojë Mbape për Botërorin

Edhe pse në mediat europiane ata tanimë përshkruhen si rivalë te PSG, Nejmar ka uruar shokun e tij të skuadrës, Kilian Mbape, për fitimin e Kupës së Botës. Skuadra e tij, Brazili, ishte një nga favoritet për të fituar këtë kompeticion por u eliminua në çerekfinale me Belgjikën. Pavarësisht nga kjo humbje tepër e dhimbshme jo vetëm për sulmuesin brazilian, Nejmar ka pranuar që është shumë i lumtur për  arritjen e 19-vjecarit.

“E përgëzova natyrisht, ne kemi folur edhe gjatë Botërorit. Jam shumë i lumtur për të dhe është një djalë për të cilin kam dashuri të veçantë. Unë përpiqem gjithmonë që ai të kalojë në përvojën time dhe pse jo, të bëhet më i mirë se unë. Kam shumë besim dhe është në rrugën e drejtë për tu bërë një nga lojtarët më të mirë në notë”, tha Nejmar. Mbape shënoi katër gola duke përfshirë këtu një në finalen kundër Kroacisë dhe gjithashtu fitoi çmimin si lojtari i ri më i mirë në Kupën e Botës.

Nejmar gjithashtu iu përgjigj edhe kritikave rreth heshtjes pas eliminimit nga Botërori. “Jam mësuar gjithmonë të kritikohem për ato që them dhe ato që nuk them, kam kaluar shumë situata të tilla dhe tashmë jam mësuar me to. Për mua ishte shumë e dhimbshme që ta kaloja këtë pjesë të eliminimit nga Botërori dhe mu desh kohë që ta mblidhja veten”, ishin fjalët e brazilianit. /vipsport.al/