Tani është zyrtare, Enis Gavazaj transferohet në Rusi

Enis Gavazaj do të luajë në Rusi në vazhdim. Largimi i tij nga Skënderbeu për të kaluar në një kampionat të huaj ishte i sigurt, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare. Ndryshe nga parashikimet, ku flitej se Gavazaj do të shkonte në Kroaci, apo Austri, ai ka shkuar te skuadra e Jenisei në Rusi.

Nuk janë bërë ende të ditura detajet e kontratës së mesfushorit kosovar me ekipin e ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit rus. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit rus dhe me kalimin e kohës do të mësohen edhe detajet e marrëveshjes, kohëzgjatja e kontratës dhe sa përfiton klubi korçar nga kjo lëvizje.

Disa ditë më parë Skënderbeu shiti sulmuesin Xhejms Adeniji te Gabala në Azerbajxhan, duke arkëtuar shumën e 350 mijë eurove. Gavazaj ishte prej kohësh në listën e shitjeve dhe tani kalimi i tij në një kampionat të huaj është reralizuar falë menaxherit Shkumbin Qormemeti. Për Skënderbeun është humbje në aspektin sportiv, por fitim në aspektin financiar.

Gavazaj ka luajtur dy sezonet e fundit me Skënderbeun, duke fituar titullin kampion së fundi. Ai ka luajtur më parë edhe në kampionatin belg, ndërkohë që ka qenë pjesë e ekipit Shpresa dhe tani edhe Kombëtares së madhe. / Vipsport.al