Skënderbeu u kthehet miqësoreve shqiptare, sfidë ndaj ish-kapitenit

Bledi Shkëmbi do të kthehet që këtë javë për herë të parë si rival i Skënderbeut në Korçë. Në pritje të kampionatit ku ai do të përpiqet të mundë korçarët në drejtimin e Teutës, Shkëmbi do të sfidojë më parë ekipin e vendlindjes në një miqësore parapërgatitore.

Teuta ka udhëtuar drejt Ohrit për fazën përgatitore të sezonit të ri, ndërsa Skënderbeu po e zhvillon atë në Korçë. Meqë të dy palët e kanë shumë të vështirë të gjejnë rivalë të fortë në këtë moment për të zhvilluar miqësore, ata kanë planifikuar që të zhvillojnë ndeshjen e radhës mes tyre këtë të shtunë.

Durrsakët do të udhëtojnë nga Ohri drejt Korçës për t’u ndeshur atje me Skënderbeun, duke shpresuar që të konfirmojnë formën e mirë që kanë shfaqur në ndeshjet e para miqësore që kanë zhvilluar në fillimin e fazës përgatitore.

Ndërsa Skënderbeu i drejtuar nga Orges Shehi, synon që të vazhdojë përmirësimin e lojës dhe t’u kthehet fitoreve. Kujtojmë se ekipi korçar fitoi 2-0 “derbin” me Maliqin në ndeshjen e parë të fazës, ndërsa barazoi dje pa gola përballë Renovës. /vipsport.al/

more recommended stories