Rrëfimi për Vip Sport / Bakaj dhe goli para Maradonës: Nuk ishte çudi e madhe, erdhi na takoi

Elis Bakaj ka qenë sot protagonist i një ndeshje shumë të veçantë me skuadrën e Shakhtor Soligorsk. Mesfushori shqiptar ka mundur me shifrat 3-1 ekipin e Dinamo Brest, ku tashmë drejtor i përgjithshëm është Diego Armando Maradona. Bakaj ka treguar për Vip Sport këtë ndeshje të veçantë të cilën ekipi i tij e fitoi me shifrat 3-1 si dhe faktin se ishte takuar me legjendën e futbollit botëror.

“Goli para Maradonës në fakt nuk ishte ndonjë çudi e madhe se ne jemi ekip që pretendojmë që të ngjitemi më lart në klasifikim dhe fitoret nuk janë diçka që vijnë rrallë. Normalisht që na gëzon fakti që morëm fitore para tifozëve dhe kundër një ekipi që është ndër më të mirët pasi po bën investime dhe duket që te fakti se me kë kanë bashkëpunim. Vetë Maradona erdhi na takoi para ndeshjes të gjithëve dhe na uroi suksese”, tregon Bakaj.

Duket se gjërat tani po shkojnë shumë mirë për fantazistin, i cili ka filluar të gjejë ritmin e tij para portës e sigurisht edhe golat. “Unë deri tani kam luajtur fort dhe kanë pasur shumë besim të unë, pavarësisht mungesës së golit. Fakti që shënova në Europë më ka çliruar dhe besoj se tani do ta kem më të lehtë. Mendoj se gjërat po ecin mirë si me skuadrën, ashtu edhe për mua, këtë e tregoi dhe fitorja 3-1 në Europa League”, vijon futbollisti.

Bakaj ndërkohë ndjek me interes edhe zhvillimet në futbollin shqiptar, ku më i fundit është padyshim shkarkimi i Peter Pakult nga Kukësi, duke emëruar Armando Cungun në rolin e  trajnerit.

“Në fakt u çudita pak kur mora vesh që ka ikur Pakulti, por te Kukësi këto gjera ndodhin dhe nuk është për t’u çuditur aq shumë, sidomos nga ne që e njohim klubin. Mendoj se ka ardhur një trajner shumë i mirë pasi Cungu ka treguar gjithmonë që është një trajner që di të bëjë mirë dhe besoj se nesër do ta vërtetojë. E shoh Kukësin me Cungun në krye që kualifikohet kundër Valetës dhe besoj se do kenë sukses dhe uroj që të ecin sa më mirë”, ishin fjalët e lojtarit i cili u largua në fillimin e këtij viti nga Kukësi. /Erjon Allaraj/ vipsport.al/