Prishtina luan sot në Europë, futbolli i Kosovës drejt historisë

Që pas njohjes nga UEFA dhe FIFA, futbolli i Kosovës është rritur shumë dhe kjo rritje nuk ka prekur vetëm skuadrën përfaqësuese, por edhe vetëm kampionatin, Vala Superliga.

Klubet që marrin pjesë në Ligën e Parë të Kosovës, kanë pësuar një rritje të ndjeshme si në nivel loje, ashtu edhe në infrastrukturë dhe kjo shihet nga lojtarët të cilët po largohen nga Kategoria Superiore drejt Kosovës. Gjithashtu, disa klube kanë përmirësuar kushtet në stadiume, si rasti i Prishtinës.

Pikërisht, kryeqytetasit do të luajnë sot ndeshjen e kthimit për turin e parë të Ligës së Europës përballë Fola Esch dhe mundësitë për t’u kualifikuar janë të mëdha, duke parë se në transfertë, Prishtina mori barazim. Nëse kualifikimi arrihet, atëherë Prishtina, së bashku me Dritën do të luajnë në turin e dytë të Ligës së Europës dhe për herë të parë, në Kosovë do të luhen dy ndeshje europiane në të njëjtën ditë.

Kjo për faktin se Drita do të luajë në stadiumin “Adem Jashari”, aty ku Prishtina do të luajë sot, ndërkohë që këto të fundit do të inagurojnë stadiumin “Fadil Vokrri” i cili u restaurua kohët e fundit. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/