Prishet atmosfera te Luftëtari ditën e ndeshjes, pezullohet dhe gjobitet një titullar

Ekipi gjirokastrite luan sot ndeshjen e kthimit në Europa League me letonezët e Ventspils dhe humbja 5-0 në 90 minutat e para nuk i jep asnjë shans për kualifikimin, por ajo që tërheq vëmendjen në këtë moment është atmosfera e trazuar në ekip.

“Panorama Sport” bën me dije se klubi ka pezulluar dhe gjobitur mbrojtësin brazilian Xhekson, pasi ky i fundit nuk pranoi të qëndronte në stol. Në fakt, trajneri Kostiç e kishte shprehur hapur pakënaqësinë nga loja e Xheksonit dhe Bregut dhe vendosi që të dy ta nisnin nga stoli takimin e sotëm në Elbasan, por braziliani ka reaguar dhe ndaj tij janë marrë masa.

Atmosfera është e trazuar pikërisht ditën e ndeshjes, ku Luftëtari duhet të marrë një rezultat pozitiv në përfaqësimin e tij historik në Kupat e Europës, pasi për kualifikimin as që bëhet fjalë. / Vipsport.al