Po nëse Kukësi e Shkëndija eliminohen nga Championsi? Ja rivalët e mundshëm në “Europa League”

Kukësi do të luajë këtë javë ndeshjen e parë në histori në turin e dytë t Ligës së Kampionëve, ku përballë do të ketë Karabakun. Padyshim, që verilindorët do të synojnë këtë takim që të kualifikohen për në turin tjetër, por në rast se ndodh e kundërta, ata do të qëndrojnë në Europë, të paktën edhe për dy ndeshje.

Formati i ri i Ligës së Kampionëve, i lejon skuadrat që eliminohen nga Liga e Kampionëve të luajnë në turin pasardhës të Ligës së Europës. Kjo do të thotë se nëse Kukësi, ashtu edhe Shkëndija që luan ndaj Sherifit eliminohen nga Championsi në këtë tur, atëherë të dyja do të luajnë në turin e tretë të Ligës së Europës.

Shkëndija është pozicionuar në Grupin 1 dhe në rast të një eliminimi të mundshëm, atëherë do të luajë në turin e tretë me fituesin e njërit prej çifteve që luajnë javën e ardhshme në Europa League. Ashtu do të jetë edhe për Kukësin, që është pozicionuar në grupin e dytë. Shorti për turin e tretë të Ligës së Kampionëve dhe atë të Ligës së Europës, do të hidhet të hënën në Nion të Zvicrës. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/