Planifikohet si miqësore, ndeshja Espanjol-Olot hyn në historinë e futbollit spanjoll

Espanjoli do të luajë një ndeshje miqësore nesër me skuadrën modeste të Olotit, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri futbollistik 2018-19.

Në fakt, ky takim nuk do të jetë një miqësore pa rëndësi, duke qenë se për herë të parë në histori, do të përdoret sistemi VAR në futbollin spanjoll. Ky do të jetë një test për të ndihmuar gjyqtarët që të ambientohen më shumë me këtë sistem, duke qenë se që nga ky sezon, VAR-i do të përdoret edhe në Divizionin e Parë spanjoll.

Gjyqtar kryesor për këtë takim, do të jetë Hernandez Hernandez, ndërkohë që ky takim pritet të jetë vetëm i pari me VAR, pasi pak ditë më vonë, Espanjoli luan një tjetër miqësore nën vëzhgimin e këtij sistemi që rezultoi të ishte një sukses në Botërorin e Rusisë. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/