Pas suksesit vijnë ofertat për Daliç, aziatikët janë gati ta bëjnë milioner

Zlatko Daliç është kthyer brenda pak kohësh nga një emër i panjohur në botë, në një nga trajnerët më të kërkuar në tregun ndërkombëtar. Për teknikun i cili drejtoi Kroacinë drejt një objektivi që mendohej i pamundur si finalja e Kupës së Botës, ka ardhur koha që të fitojë diçka financiarisht nga fama e tij.

Ai ishte ndër trajnerët që paguhej më pak në Botëror, pasi përfitonte vetëm 500 mijë euro në vit si teknik i Kroacisë, një rrogë e papërfillshme nga klubet që e kërkojnë. Sipas mediave kroate, atij i kanë ardhur oferta të shumta nga kampionate prestigjioze, por edhe shumë të rëndësishme financiarisht nga Azia.

Klubet kineze dhe nga Koreja e Jugut janë gati të bëjnë çmenduri për të dhe një prej tyre raportohet se ka ofruar një rrogë prej 5 milionë dollarësh në vit për teknikun. Daliç ka kërkuar kohë të mendohet, pasi nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë apo jo te Kroacia.

Ai ka një akord parimor për dy vite të tjera me Federatën Kroate dhe ka thënë gjithmonë se ai e sheh si prioritet para çdo gjëje tjetër. Ndërkohë, Federata i ka bërë gati përmirësimin e kontratës, duke rritur rrogën e tij në 1 milion euro në vit, për ta bërë trajnerin më të paguar në historinë e përfaqësueses. E meriton plotësisht, apo jo? /vipsport.al/