Pakult komenton Botërorin, tregon sekretin e suksesit të Anglisë

Kukësi do të luajë të mërkurën ndeshjen e parë në Ligën e kampionëve ndaj Valetës në kuadër të turit të parë. I ftuar në “RTSH”, trajneri i Kukësit Peter Pajkult ka komentuar takimin dhe përgatitjet në Slloveni.

Sa i përket Botërorit, ai u shpreh se është emocionues, ndërkohë që tregon edhe një peng që ka për Austrinë dhe pjesëmarrjen në Botëror.

“Valeta? Këtë skuadër ka kohë që e ndjek. Është një ekip me eksperiencë dhe shumë i fortë. Nëse mendojmë se ky ekip është gjithmonë skuadër pjesëmarrëse në Champions, mund të themi se është ndeshje e vështirë. Kemi punuar për katër javë në Slloveni dhe besoj se jemi gati për ndeshjen e radhës ndaj Valetës.

Te ne është pak problem që disa lojtarë nuk morën pjesë që në fillim të fazës përgatitore dhe erdhën pak me vonesë. Disa lojtarë të tjerë kishin një pushim pak më të gjatë dhe jam pak i zhgënjyer nga kjo pjesë. Natyrisht që jemi të përgatitur dhe mund të tërheqim lojtarë të rinj gjatë sezonit. Tani jemi të fokusuar dhe besoj se nga kjo fazë përgatitore që kishim, do të bëjmë një paraqitje të mirë.

Botërori? Është një kupë bote që nuk duhet lënë asnjë ndeshje pa parë. Më vjen keq që Austria nuk është pjesë e këtij Botërori. Jam i befasuar që Rusia është deri këtu duke qenë se vitet e fund nuk ka pasur një ecuri shumë të mirë. Ekipet e vogla kanë bërë shumë progres dhe pjesa fizike e loja që japin në fushë bën diferencën. Sa i përket Angli-Suedi, nuk mund të merret për bazë loja që bëri Suedia. Anglia me gjithë lojën e mirë që bëri ndaj një ekipi në mbrojtje dhe jo shumë të bukur për t’u parë, fatmirësisht arriti të kalonte në turin tjetër.

Më bëhet shumë qejfi që Kroacia arriti të kalonte në gjysmëfinale pasi edhe me  presidentin e federatës së Kroacisë jam shumë mik. Kroacia luajti shumë mirë dhe kaloi meritë. Kur sheh një Modriç të tillë që luan deri në fund me të njëjtin temp është diçka fantastike. Fatkeqësisht Kroacia do të luajë me Anglinë dhe unë jam pak tifoz i Anglisë dhe mbi të gjitha, Anglia ka një ekip të ri dhe bën një lojë shumë të shpejtë. Shohim në fushë mentalitetin e futbollit që ka sjellë Guardiola dhe Jurgen Klop.

Anglia? Anglia ishte një surprizë pasi edhe trajneri ka qenë pjesë e u21 dhe është zgjedhur vetëm në momentet e fundit trajner. Ai ka pasur një kohë të shkurtër dhe ka bërë një punë të mirë, prandaj edhe Federata Angleze vendosi t’i besonte. Ai zgjodhi lojtarë të rinj nga ekipe të mëdha dhe prandaj sot ka arritur deri këtu.

Duke filluar nga klubet e futbollit anglez dhe se shumë trajnerë janë të huaj në Angli, ka ndryshuar edhe filozofia e lojtarëve prandaj edhe lojtarët në këtë Botëror janë më aktiv dhe më prezent në fushë. Le të themi se ka shumë lojtarë të rinj, duke qenë se ata regjenerohen.

Kejn? Ai ka shënuar 6 gola dhe duke qenë lojtar i ri ka shumë përgjegjësi. Deri më tani, shumë lojtarë kanë luajtur për të dhe kjo tregon një kualitet të lartë.

Në ndeshjen e parën, Anglia ka pasur një kundërshtar të lehtë dhe me një rezultat 6-2, çdo ekip e fillon Botërorin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në klubet e tyre, të gjithë lojtarët kanë pozicione të mira dhe ndryshimi e përshtatja e tyre në fushë, është meritë e trajnerit”, u shpreh Pakult. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/