Ofertë franceze për Berishën, por portierin dhe Atalantën nuk i tërheq ideja

Etrit Berisha përfundon në objektivin e klubeve franceze, më saktësisht të Lilës, që ka kërkuar informacione për transferimin e tij dhe për më tepër ka bërë një ofertë të parë për futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Lajmi i shpërndarë dje nga ekspertët e merkatos italiane ka gjetur konfirmim në burimet pranë klubit. Por sipas mediave italiane, ky transferim ka pak gjasa të ndodhë për momentin.

Në fakt, Atalanta kërkon prej kohësh një blerës për Berishën, pasi duke pasur në radhët e saj një të ri të talentuar si Golini, mendon se është e siguruar për të ardhmen. Por oferta që ka bërë Lilë, është shumë e ulët dhe nuk përmbush kërkesat që ka klubi italian i cili e bleu për 7 milionë euro kartonin e tij nga Lacio një vit më parë.

Nga ana tjetër, edhe oferta ekonomike që i ka bërë Lila vetë portierit shqiptar nuk e ka kënaqur këtë të fundit, ndaj për momentin përgjigja që klubi francez ka marrë ishte një “jo” e prerë. Tashmë pritet të mësohet nëse Lilë do të bëjë një ofertë të dytë të përmirësuar për të dy palët, apo do të tërhiqet përfundimisht dhe Berisha do të vazhdojë të mbetet pjesë e Atalantës. /vipsport.al/