Nga Torino te Teuta, durrsakët zyrtarizojnë një tjetër blerje

Klubi i Teutës ka afruar një tjetër futbollist që në të kaluarën ka qenë pjesë e klubeve të njohura italiane. Këtë radhë bëhet fjalë për një sulmues 20-vjeçar, i cili është formuar në akademinë e klubit të njohur të Torinos që militon në Serinë A.

Futbollisti senegalez Bubakar Traore ka pranuar ofertën e klubit durrsak dhe sot është shfaqur në stërvitje nën urdhrat e Bledi Shkëmbit për të filluar këtë aventurë të re në vendin tonë. Në këtë mënyrë, Shkëmbi do të ketë një alternativë më shumë në sulmin e skuadrës së tij, me objektivin për të ndërtuar një ekip pretendent për pozicione prestigjioze në renditje e jo thjesht mbijetesën si në vitet e kaluara.

Njoftimi i klubit

Klubi zyrtarizon marrëveshjen me lojtarin Bubakar Traore. Sulmuesi 20-vjeçar senegalez e ka mbyllur sezonin në Maltë te Tarxien Rainbous dhe nga sot do të jetë pjesë e Teutës. Senegalezi, i formuar si lojtar te Torino, ku është aktivizuar me të rinjtë e këtij ekipi, kërkon të shpërthejë në Superiore. /vipsport.al/