Nga Spanja sigurojnë: Godin te Juve mund të bëhet realitet

Nuk ka asnjë ofertë rinovimi nga Atletiko Madrid për Diego Godin dhe ai mund të kalojë te Juventusi nëse bardhezinjtë paguajnë klauzolën e largimit të tij. Ky është informacioni më i fundit që vjen nga e përditshmja spanjolle “AS”, e cila bën të ditur se lojtari uruguaian vazhdon të mbetet në diskutim në radhët e madrilenëve ndonëse është kapiten i kësaj skuad4re dhe një prej liderëve në dhomat e zhveshjes.

Atletiko Madrid vazhdon me praktikën e rinovimit njëvjeçar me të drejtën e zgjatjes për një edicion tjetër me lojtarët që kalojën moshën 30 vjeç, siç ka vepruar me emra të tjerë të njohur para Godin, i cili ka marrëveshje deri në fundin e sezonit të ardhshëm. Ndërkohë, Juventusi i ofron një kontratë afatgjatë dhe mundësinë që të bëhet pjesë e projektit të ri, përkrah Kristiano Ronaldos.

Mendohej se klubi italian ishte tërhequr pasi kishte mësuar se ekzistonte oferta e rinovimit spanjoll. Por në fakt nuk është ashtu, pasi kjo ofertë e re nuk ekziston. Kësisoj, Juventusit i mbetet vetëm të bindë futbollistin dhe të paguajë klauzolën prej 20 milionë eurosh që ka në kontratë, një shifër jo edhe aq e lartë duke llogaritur se bëhet fjalë për një nga mbrojtësit më të vlerësuar aktualisht në futbollin botëror. /vipsport.al/